
Në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore, ministrja e Kulturës Elva Margariti, ka sjellë në vëmendje restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.
Falë mbështetjes së Bashkimit Europian është drejt përfundimit rrugëtimi për restaurimin e mozaikut të fasadës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë dhe godinës së Teatrit të Kukullave.
Copëz pas copëze po restaurohet mozaiku i Muzeu Historik Kombëtar, i dëmtuar nga tërmeti dhe nga koha. Një projekt i mbështetur nga programi EU4Culture Albania, nën zbatimin e UNOPS.
Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, është një mozaik gjigand me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.
Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri.
Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.



