Menaxhimi i parkut të Butrintit për herë të parë do të bëhet nga një kompani e huaj, e përzgjedhur nga qeveria. Por përse kjo zgjedhje dhe a duhet t’i druhemi asaj. Në një intervistë për TvT arkeologu Olsi Lafe, që e njeh mirë Butrintin, thotë se nuk duhet të nxitohemi, por të monitorojmë me kujdes procesin, pasi kjo është hera e parë që një monument i tillë kulture administrohet në këtë mënyrë.
“Jam njohur me planin e Ministrisë së Kulturës, për menaxhimin e Butrintit. Është një provë e parë që po bëhet por nuk mund të gjykohet pa filluar. Mendoj se fillimisht i duhet lënë kohës për të parë se si ky propozim do të zbatohet në Butrint,”-tha ai.
I pyetur se cilat janë arsyet se qeveria ka zgjedhur këtë plan menaxhimi, në një kohë kur nuk mungojnë të ardhurat pasi në vit mblidhen 1.5 mln euro nga vizitorët në Butrint, Lafja përgjigjet:
“Nuk e di se cilat janë arsyet, por koha e gjatë që Butrinti ka funksionuar ka sjellë shumë problemtika në menazhim, që vijnë nga shumë faktore, jo vetëm të brendshëm, por edhe të zonës. Duhet parë se si ky plan i menaxhimit do të funksionojë.”
Po nëse ka ndonjë risk, siç mund të jetë ndryshimi i identitetit të Butrnintit? Për këtë aerkologu thotë:
“Në rast se nuk ka vazhdimësi për këto procedura nuk ndodh asgjë në terren. Pra nuk ndryshon modeli i menaxhimit. Duhet të shikojmë nëse ka dakordësi dhe më pas të gjithë si specialistë të verifikojmë apo edhe të jemi kritik, për Butrnitin. Asnjë nga ne nuk do që Butrinti të mos funksionojë.
Qeveria dhe ministria kanë patur mbështetjen e pakushtëzuar për këtë ligj nga AADF, për procesin e hartimit planin e menaxhimit të Butrintit. Nëse ka një konflikt interesi e përcaktojnë autoritetet. Në rast se nuk do të ketë kundërshti publike për këtë model menaxhimi atëherë nuk duhet të kemi frikë. Por duhet të kemi kujdes sepse është hera e parë, tereni i ri dhe i pashkelur.”



