
Filmi i xhiruar në vitet 2022-2023 “Pikë uji” është “ rikthyer” në një premierë të veçantë.
Për herë të parë ai është shfaqur në sallën e kinemasë në Pogradec, ku ka marrë vëmendjen e plotë të audiencës.
Siç bën të ditur korrespondentja e MCN nga Korça, në këtë premierë në Pogradec ishin të pranishëm edhe aktorët kryesor të filmit, një triller emocional që zbulon çmimin e vërtetë të pushtetit dhe dashurisë prindërore.
Për regjisorin Robert Budina, Pogradeci ishte qyteti më i veçantë për të xhiruar këtë film, pasi vetë banorët kanë qenë shumë bashkëpunues, ndërsa vetë qyteti kishte skena tepër komode.
Budina premton se do të sjellë në qytetin juglindor edhe projekte të tjera, duke e kthyer Pogradecin në qytetin e Filmit.
Qetësia dhe komoditeti në sheshin e xhirimit e bën Pogradecin të veçantë për producenten Sabina Kodra, edhe pse në 23 vite, ka pasur mundësinë të xhiroj në pothuaj të gjithë vendin.
Ajo nuk i fsheh emocionet, teksa filmi “Pikë uji” u kthye përsëri në shtëpi.
E veçanta në këtë film ka qenë përfshirja e më shumë se 200 figurantëve nga Pogradeci, por mes tyre ishte dhe gjimnazisti pogradecar Henri Topi, të cilit ju besua roli i “Denisit”, ku edhe pse për herë të parë në sferën e kinematografisë, duket se për të ka qenë një ogur i mbarë.
Premiera mbushi sallën e kinemasë së Pogradecit, ku të pranishëm ishin qytetarë të shumtë, dashamirës së kinematografisë dhe vetë protagonist të filmit tashmë të kthyer aty nga ku “lindi”.



