
Me një program të larmishëm artistik, në Korçë ka nisur edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar MIK, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës në Shqipëri.
Drejtoresha artistike e festivalit, sopranoja Inva Mula, e cilësoi MIK-un si "një buqetë koncertesh dhe artistësh", duke theksuar se çdo edicion synon të sjellë risi dhe eksperienca të veçanta për publikun.
Sipas saj, festivali do të hapet këtë vit për herë të parë me tingujt e ‘Jazz Manouche’, ose xhazit francez të viteve ’30, një zhanër i njohur në skenat ndërkombëtare, por ende pak i eksploruar nga publiku shqiptar.
Kitaristi nga Kosova, Armend Xhaferi, u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen e tij të parë në Korçë, duke theksuar se së bashku me kolegët do të sjellin një stil muzikor që ka fituar popullaritet në festivalet evropiane, por që interpretohet rrallë në Shqipëri.
Edhe kontrabasisti franko-shqiptar Xavier Nikq, i cili performon për herë të parë në Shqipëri, tha se është i lumtur që ngjitet në skenën e MIK në Korçë së bashku me artistët e tjerë.
Ndërkohë, pedagogia Irena Rambi, e cila jeton prej 36 vitesh në Paris dhe e ndjek festivalin që nga edicioni i parë, e cilësoi MIK-un si një nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme në vend.
Sipas saj, festivali jo vetëm ofron një program artistik cilësor, por u krijon vizitorëve mundësinë të zbulojnë fshatrat, kishat dhe monumentet kulturore të zonës së Korçës, duke promovuar njëkohësisht turizmin dhe trashëgiminë shqiptare.
Edicioni i nëntë i MIK do të vijojë me një kalendar të pasur aktivitetesh artistike, ku spikasin mbrëmja homazh kushtuar Viktor Gjikës dhe Teodor Laços, spektakli i baletit "Moonlight Gala" në Drenovë me artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si edhe koncerti i parë i një kori bizantin nga Greqia në një objekt kulti në Shqipëri.
Festivali do të mbyllet me mbrëmjen tradicionale të serenatave në Parkun "Rinia", ku publiku do të bashkohet në interpretimin e këngëve të rralla korçare, duke kurorëzuar një edicion që ndërthur muzikën, kulturën dhe promovimin e trashëgimisë së Korçës.



