
115 vjet më parë, përkatësisht më 14 nëntor 1908, nisi punimet Kongresi i Manastirit.
Në këtë Kongres u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjen e Alfabetit, ku morën pjesë një grup intelektualësh shqiptarë të kohës.
Synimi i mbledhjes ishte arritja e njehsimit të alfabetit që do të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe.
Kongresi i mbajti punimet deri më 22 nëntor 1908, data kur shqiptarët e shqipfolësit kujtojnë “Ditën e Alfabetit”.
Në përmbyllje, Komisioni mbi çështjen e “Abecesë” doli me vendimin (dokumenti bashkëngjitur):
“Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”
Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”.
Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë.
Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.



