Tim Smith-Laing
Në vitin 1612, një gjykatë në Romë dëgjoi dëshminë e Artemisia Gentileschi-t, një piktore 19-vjeçare, e cila akuzoi një artist të njohur të kohës, të quajtur Agostino Tassi. Tassi ishte mësuesi i saj i artit dhe pritej të bëhej edhe burri i saj i ardhshëm. Ai ishte ngarkuar t’i mësonte asaj artin romak. Por në vend që ta bënte këtë, e përdhunoi. Megjithëse gjykata vendosi që ai ishte fajtor, njerëz me ndikim që ai njihte garantuan që ai kurrë të mos kishte pasoja.
Gentileschi më pas pati një karrierë të shkëlqyer. Ndër të paktat artiste femra në atë kohë, ajo ngjalli admirim në të gjithë Evropën në një mënyrë që vetë Tassi kurrë nuk e kishte pasur, duke marrë porosi nga Firence, Xhenova, Venecia, Napoli dhe Londra.
Megjithatë, ajo mbahet mend kryesisht për atë sulm të hershëm, i cili supozohet të jetë nënteksti i pikturave të saj më të fuqishme. Gentileschi ishte veçanërisht e zonja në pikturimin e skenave brutale të objektivizmit, dhunës dhe hakmarrjes. Rezonanca e tyre në epokën #MeToo është e pamohueshme.
Lidhja midis veprës dhe biografisë së piktores nuk është askund më tunduese sesa në "Suzana dhe Pleqtë", e pikturuar në vitin 1622. Ajo tregon një histori biblike. Dy gjykatësh të vjetër me epsh shohin Suzanën e re, ndërsa ajo është duke bërë banjë dhe përpiqen ta shantazhojnë për marrëdhënie seksuale me ta, duke e kërcënuar se do të thonë që ata e gjetën duke kryer shkelje kurore. Susanna nuk pranon dhe shpëtohet vetëm nga profeti Daniel, i cili bën drejtësi të shpejtë dhe të pashembullt.
Dobësia e Suzanës lakuriq; hakmarrja që Gentileschi kurrë nuk e mori plotësisht. Nuk mund të mos e shohësh dhimbjen e piktores aty. Por nuk është aq e thjeshtë. Historia e Suzanës është pikturuar nga shumë njerëz, madje edhe kompozimi i saj erdhi nga piktura e një artisti tjetër. Atmosfera e errët e pikturës është ajo e stilit barok standard. Megjithatë, është një vepër mahnitëse. Shikoni ngjyrat, harkun që merr trupi i pleqve që shikojnë vajzën, mënyra sesi kyçi saj i këmbës kthehet në fantazmë nën ujë. Gentileschi pati sukses jo vetëm për shkak të historisë së saj, por edhe për shkak të shkëlqimit të saj si piktore. / 1843 Magazine /



