
Prej sot, për të gjithë përdoruesit është hapur online faqja e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, duke ofruar akses të lirë dhe të hapur për publikun.
Ky fjalor është një ndër tre projektet madhore të albanologjisë, së bashku me veprat “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”.
Të treja janë projekte të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të cilat synojnë promovimin e identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore mijëravjeçare.
Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, në bashkëpunim me institutet e tjera të Akademisë së Shkencave, bën me dije se përdoruesit tashmë mund ta aksesojnë fjalorin përmes domenit “fjalori.online”, duke përfituar qasje të lirë dhe falas.
Fjalori ka rreth 125 mijë njësi leksikore, përfshirë mbi 105 mijë fjalë, 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, shprehje të huaja të paasimiluara, si dhe mbi 1200 akronime.
Gjatë një periudhe nëntëmujore do të mblidhen mendime, sugjerime dhe plotësime nga përdoruesit për përmirësimin dhe pasurimin e mëtejshëm të fjalorit.
Pas përfundimit të kësaj faze, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, do të shqyrtojnë dhe pasqyrojnë të gjitha sugjerimet e mbledhura.
Për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” punoi një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
Vitin që vjen, fjalori do të shtypet në dhjetë vëllime.
Ky fjalor është domosdoshmëri për shkrimtarët e për publicistët, për shkollarët e për studentët, për mësuesit e për pedagogët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.
Platforma online është konceptuar në mënyrë që lexuesit të ndërveprojnë me fjalorin në të gjitha pajisjet digjitale.
Ai u vjen në ndihmë gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime e me përkthime, me hartimin e fjalorëve të tipave të ndryshëm etj.
Sipas Akademisë së Shkencave, fjalori pritet të kalojë në version përfundimtar online në fund të vitit 2026, ndërsa botimi i shtypur, në disa vëllime, parashikohet gjatë vitit 2028 dhe do të jetë kryesisht për biblioteka dhe institucione shkencore.



