
Sot, më datë 20 maj 2019, në orët e para të mëngjesit u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë Hans-Joachim Lanksch, përkthyesi shumë i njohur i letërsisë shqipe në gjermanisht.
Përkthyes, studiues dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe, ai i dha zë asaj në Gjermani dhe Europë.
Lanksh-i u njoh dhe u dashurua me gjuhën shqipe nëpërmjet poetit Martin Camaj me të cilin pati një bashkëpunim të gjatë dhe një miqësi të veçantë.
Lanksh-i ka përkthyer në gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur, si: Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Ledia Dushi etj.
Më 1992 mori Çmimin "Literaturstipendium" të qytetit Mynih, më 1999 Çmimin "Nikolaus Lenau", më 2002 Çmimin kombëtar ”Penda e Argjendtë” dhe më 2018 Çmimin "Azem Shkreli".
Ai la në mes një punë të mrekullueshme dhe shumë plane e projekte kushtuar lirikës shqipe.
Letërsia, gjuha e kultura shqipe sapo humbi një ambasador dhe një dashamirës të rrallë të saj.



