“Martesa” është filmi me të cilin Kosova do të përfaqësohet në Oscars, me synimin për të rrëmbyer çmimin si filmi më i mirë në gjuhë të huaj.
I realizuar në shqip, “Martesa” është një dramë romantike me skenar dhe regji të Blerta Zeqirit, fituese e dy çmimeve në Tallinn Film Festival.
Fabula përqendrohet në një trekëndësh të pazakontë dashurie pak ditë para ceremonisë së martesës. Anita dhe Bekim janë në mes të përgatitjeve për ditën e dasmës. Pavarësisht pengesave dhe problemeve familjare – prindërit e Anitës janë ndër të zhdukurit e luftës – ata duken të lumtur.
Por ardhja e ish-të dashurit sekret të Bekimit i komplikon gjërat dhe dasma mbushet me tension.
Në kategorinë Filmi më i Mirë në Gjuhë të Huaj kandidojnë produksione nga e gjithë bota.
Lista finale e filmave të nominuar do të shpallet në 22 janar 2019, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar mbahet më 24 shkurt 2019.



