
E kanë pagëzuar “Fëmija që i shpëtoi mbytjes” dhe shumë mendojnë se është vepër e Banksy-t. Bëhet fjalë për grafitin më të ri që është shfaqur në Venecia.
Vizatimi është bërë mbi një mur në kanalin Ca 'Foscari, jo shumë larg universitetit që mban të njëjtin emër.
Fëmija i paraqitur me tonet e ngjyrës gri mban në dorë një pishtar që lëshon një re tymi në ngjyrë rozë.
Bansky, artisti i rrugës me famë botërore, nuk e ka marrë përsipër autorësinë e grafitit. Edhe pse i lindur në Bristol (Britani), identiteti i tij mbetet i panjohur dhe ai zgjedh të “godasë” herë pas here me grafite të tilla nëpër muret e kryeqyteteve të botës.
Nëse Bansky është vërtet autori i grafitit të Venecias, ky do të ishte i treti në Itali, pas atij të Shën Mërisë me pistoletë në dorë në Napoli dhe Shën Terezës së Berninit në rrugën “Benedetto Croce”, në Napoli, në vitin 2010.
Disa ekspertë të artit në Itali e shohin si të përshtatshëm momentin e këtij grafiti, pasi ai përputhet me stilin e Banksy-t. Në kohën kur vëmendja në Venecia është drejtuar nga Bienalja e Artit, nuk do të ishte e pazakontë që Banksy t’i bashkohej në këtë formë.



