
Në datat 18-20 gusht në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, do të mbahet veprimtaria kulturore, artistike, me vlerë edhe turistike, në formën e një festivali të titulluar “Vajzë Fest 2023”
Nën kujdesin e Bashkisë së Selenicës dhe të Ministrisë së Kulturës, kjo veprimtari mjaft interesante do të organizohet në funksion të gjallërimit të jetës në fshat dhe promovimit të vlerave të zonēs.
Do ketë shfaqje të filmave, kryesisht me temë fshatin, nën shoqërinë e një regjisori, apo aktori të ftuar, shfaqjen teatrore “Hanko Halla” (që e ka vënë në skenë Armand Boraj), një shfaqje teatrore për fëmijë, biseda me aktorët e regjisorët e ftuar, si dhe recitime prej tyre të disa poezive të Ali Asllanit, këngë polifonike të grupit të fshatit, shfaqje të disa dokumentarëve, filmave artistikë me temë fshatin, apo filmave me metrazh të shkurtër, të përgatitur nga studentë të Akademisë së Arteve etj etj.
Disa nga figurat e nderuara të kinematografisë si P. Milkani, N.Xhepa, A.Minga, A.Bualioti, T.Flloko, Y.Mujo, A.Trebicka, P.Malaj, H.Mustafaraj, E.Milkani etj, do jenë të ftuarit special, që do të akomodohen gjatë këtij eventi në shtëpitë e fshatit.
Gjithashtu do të ngrihen edhe çadra kampingu për studentët e Akademisë së Arteve apo për të rinjtë që do të dëshirojnë t’i bashkohen eventit.
Do jenë tre ditë e natë me gjallëri, ku edhe kulinaria e zonës, si dhe guidat për në Ujëvarën e Rasalit e Shpellat e Velçës apo në Amantia e Beun, do nxisin të rinjtë për t’i vizituar ato.
Festivali “Vajzë Fest 2023 “me film, art dhe trashëgimi kulturore, do të mbahet deri në 20 gusht.



