
Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Komunën e Tetovës dhe Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, çeli në Tetove, ekspozitën “Gjuha jonë sa e mirë”.
Hapja e ekspozitës u bë në kuadër të aktivitetit “Festojmë në vendlindje. Vera tetovare”.
Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës ishte i pranishëm kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Naim Ismaili, deputetë të partive të ndryshme politike që përfaqësojnë shqiptarët në parlamentin e Republikës së Maqedonisë të Veriut, njerëz të artit dhe të biznesit etj.
Gjithashtu në këtë aktivitet të rëndësishëm ishte e pranishme edhe një përfaqësi e Muzeut Historik Kombëtar nga Tirana të cilat falënderuan për këtë aktivitet, bashkëautorin e ekspozitës, Arsim Sinani.
Ekspozita “Gjuha jonë sa e mirë” përmban rreth 20 stenda, të cilat përshkruajnë ecurinë e shkrimeve shqipe.
Ekspozita fillon me shkrimet e hershme shqipe, me formulën e pagëzimit, që është dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe me alfabet latin dhe përfundon me disa nga shkrimtarët bashkëkohorë.





