
18 Prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike nga ICOMOS, qё prej vitit 1982.
Misioni i kësaj dite është edukimi i brezit të ri me problematikën e monumenteve, si dhe tërheqjen e vëmendjes për kujdesin që duhet treguar ndaj trashëgimisë kulturore.
Duke u nisur nga kjo, sic njofton Muzeu Historik Kombëtar, specialisti i Muzeut, Spiro Nika iu shpjegoi nxënësve mënyrën sesi u montua “Çuka e Ajtoit” dhe mozaiku “Qilimi i Apolonisë”, në ambientet e atriumit të Muzeut Historik Kombëtar si dhe i këshilloi ata se çfarë u duhet të bënin për ta mirëmbajtur këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.
Më pas nxënësit vizituan dhe pavijonet e lashtësisë ku u njohën dhe me disa monumente të kulturës.
Në nder të kësaj dite në Shqipëri organizohet edhe hyrja falas nëpër monumente të kulturës si dhe zhvillohen aktivitete të ndryshme lidhur me vlerat, rëndësinë si edhe rreziqet që i kanosen këtyre monumenteve.





