
Kulla Veneciane në Durrës është restauruar sot pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka bërë të ditur në rrjete sociale se së bashku me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, në Durrës kanë përuruar punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane, të cilat u finalizuan falë programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS.
Bashkë me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell përuruam sot punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane në Durrës. Shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë.
Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë do të mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit.
Kulla, përveç se do të rrëfejë historinë e Durrësit, do të orientojë vizitorët përmes monumenteve te tij.
Kulla Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit.







