
Shkodra mikpriti 30 ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, në një vizitë të veçantë kushtuar historisë, kulturës dhe potencialit të qytetit.
Diplomatët e huaj, të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, si dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vizituan Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, një nga pasuritë më të çmuara të identitetit kulturor të Shkodrës dhe Shqipërisë.
Aty, të ftuarit u njohën me historinë, traditat dhe trashëgiminë e pasur të qytetit.

Gjatë vizitës, diplomatët patën mundësinë të eksplorojnë koleksionet unike fotografike, të cilat pasqyrojnë jetën, traditat dhe zhvillimet shoqërore ndër dekada, duke e shndërruar muzeun në një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së tashmes.
Vizita vijoi në Pedonalen “Kolë Idromeno” dhe në Shirokë, buzë liqenit, ku të pranishmit u njohën nga afër me bukuritë natyrore, vlerat historike dhe potencialin turistik të Shkodrës.
Prania e përfaqësuesve të 30 vendeve u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si edhe për promovimin e Shkodrës si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe turistike të Shqipërisë, me lidhje të forta me Evropën.



