Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha u “ringjall” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, përmes një shtatore bronzi.
Aktivitetet u mbajtën me nderime te varri i saj në Pagarushë, më pas u zbulua edhe busti dhe në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë u dha shfaqje kulturore e artistike.
Ky aktivitet u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.
E cilësuar si “Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua me 7 shkurt 2020.
Ajo ishte një këngëtare dhe aktore shqiptare, ndërsa konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.
Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Disa nga veprat e saj që kanë mbetur në antologjinë e këngës e interpretimit janë: “Baresha”; ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”,”Zambaku i Prizrenit” e shumë të tjera.
Shtatoren e Pagarushës e ka realizuar skulptori Agon Qosa.
Kjo skulpturë dedikuar “Bilbilit të Kosovës”, padyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës, si një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare.
Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë padyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe sic ishte Nexhmije Pagarusha, një zë që vjen rrallë.




