
Në kuadër të Ditës së Evropës, tingujt e pavdekshëm të kompozitorit legjendar italian Ennio Morricone mbushën mbrëmjen e sotme Sheshin “Italia” në Tiranë, në koncertin madhështor “Morricone dirigjon Morriconen”.
Në aktivitet morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja Albana Koçiu, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Silvio Gonzato, ambasadori i Italisë Marco Alberti, diplomatë, artistë dhe qindra qytetarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama e cilësoi koncertin si një ngjarje të jashtëzakonshme, duke theksuar simbolikën e bashkëpunimit në Ditën e Evropës.
Në skenë, Andrea Morricone dirigjoi Orkestrën Simfonike të RTSH-së, duke sjellë për publikun emocionet e kolonave zanore ikonike të krijuara nga i ati, Ennio Morricone.
Mbrëmja u pasurua edhe nga interpretimet e artistëve ndërkombëtarë si pianistja Cecilia Grillo, baritoni Alessio Quaresima Escobar dhe sopranoja Vittoriana de Amicis. Drejtimi artistik i koncertit iu besua Anila Varfit.
Artistët përcollën për publikun një përjetim unik përmes muzikës së filmave që kanë bërë histori në kinematografinë botërore. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën Italiane në Tiranë, RTSH dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Ennio Morricone konsiderohet një nga kompozitorët dhe dirigjentët më të mëdhenj të historisë së muzikës filmike, i njohur veçanërisht për kolonat zanore të filmave “Spaghetti Western” të Sergio Leone.
Gjatë karrierës së tij, ai kompozoi rreth 400 kolona zanore për filma të zhanreve të ndryshme dhe fitoi dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë dy Oscar, tre Grammy, tre Golden Globe dhe gjashtë BAFTA.
Muzika e tij vijon të mbetet një nga trashëgimitë më të çmuara të kinemasë dhe kulturës botërore.



