Këshilli Kombëtar i Restaurimit ka vendosur të shpallë qytetin e Përmetit Qendër të Mbrojtur Historike, duke i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si qendër e zhvillimit të turizmit në pjesën jug-lindore të vendit.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim me IMK-në dhe institucionet e tjera pas një pune të gjatë për vlerësimin e pasurive kulturore dhe qendrave të rëndësishme të trashëgimisë në të gjithë Shqipërinë, ka vendosur që në bazë të kritereve të përmbushura tu japë atyre statusin e Qendrave të mbrojtura Historike. Një hap ky, tepër i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e mëtejshme të trashëgimisë, por mbi të gjitha për kthimin e këtyre vendeve, në zona me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.
Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërrësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit.
Qendra Historike e qytetit të Përmetit e propozuar shtrihet rrëzë malit, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe shtrihet kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varrosh), Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku kanë mbetur gjurmët më të vjetra të qytetit.
Brenda qendrës historike ekzstojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776, dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kisha e Shën Kollit e shekullit 19-të. Gjurma e rrugës e rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit 19-të. Në Përmet ka banesa karakteristike ndonëse të transformuara, porta të harkuara dhe selvi shumë vjeçare.
Varroshi, që zakonisht përfshinte banesat përjashta fortesave, ato nën këmbët e kalasë, me kalimin e kohës njihej me emrin lagjia e Shënkollit, sigurisht në kuptimin më të ngushtë, meqë kjo lagje fillonte të shtrihej nën këmbët e bregores së Bolëngës, nga fundi i së cilës ndodhej kalaja. Kjo lagje ndërtuar thuajse nga ana jugore e Bolëngës, zbriste tatëpjetë lagjeve të tjera, mbi të cilat si pozicion mbizotëronte dhe kishte një hapësirë pamjeje të gjerë. Rrugët janë të shtruara në pjesën më të madhe me kalldrëme të realizuar në gure gëlqerorë dhe gurë lumi. Dallohen disa tipologji dhe teknika shtrimi si ratë dhe këlliç. Në çdo shtrirje rrugore ekzistonte një linjë qëndrore për kalimin e ujit, që pothuajse çdo ditë, hapej nga mullijntë për të garantuar pastrimin e rrugëve, portave dhe kopshteve.



