
Analisti dhe shkrimtari Preç Zogaj në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV u shpreh se Kadare ka pasur një detyrë, të ishte rojtari i dhuntisë së tij.
Ai tha se Kadare është realizuar si shkrimtar i madh në tirani edhe pse ka shkruar edhe pas viteve ’90, ndërsa theksoi se veprat e tij krijuan urën e vetme me Perëndimin.
Sipas tij, Kadare ka krijuar një kuptim të ri që dhe ata që s’janë lexues janë përfitues të kontributit të tij të jashtëzakonshëm.

Ne kemi gjykuar se mendja e shqiptarëve në përgjithësi ka një formatim që e sheh me optikën e biografisë, nuk gjykon çfarë ka sjellë. Mendimi i iluminuar në Perëndim kur vjen fundi gjykon çfarë solli, jo kush je ti, ato janë të lidhura, por nëse ke sjellë një gjë me shumë vlerë do të thotë se je dikush.
Këtu ndodh se s’ka filtra të kritikës, ne nuk jemi si ata në manifestimin e gjenisë. Kam pasur gjithmonë pikëpamjen se Kadare ka pasur një detyrë, të ishte rojtari i dhuntisë së tij. Shkrimtari e fiton herët vetëdijen se sa vlen, për shembull Migjeni ishte i vetëdijshëm se sa i talentuar ishte, ai e fiton vetëdijen në një periudhë X, dikush më shpejt e dikush më vonë dhe në këtë moment në kushtet e tiranisë, sepse Kadare është realizuar si shkrimtar i madh në tirani edhe pse ka shkruar pas ‘90.
Detyra e tij ishte të ruante dhuntinë, por a do kishte vlerë më shumë për Shqipërinë vepra e Kadaresë që krijoi të vetmen rrugë me Perëndimin, apo të kishim një të burgosur më shumë sepse ai ka bërë një revolucion në gjuhë. Kadare e përdori dhuntinë për të realizuar në kushtet e tiranisë duke mos bërë kompromise të mëdha.
Komunizmi ka qenë një utopi dhe ne shohim që e çuditshmja, e jashtëzakonshmja që në këto kushte Shqipëria prodhon një shkrimtar të tillë. Ai ka krijuar një kuptim të ri, që dhe ata që s’janë lexues janë përfitues të kontributit të tij të jashtëzakonshëm. Disidenca më e madhe e një shkrimtari është arti i të shkruarit.



