
“Images from Asia” titullohet ekspozita fotografike që u çel mbrëmjen e së premtes në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.
Ekspozita sjell 84 fotografi, të cilat bashkohen nga kontinenti i largët aziatik, duke ofruar një udhëtim vizual të shtrirë në kohë mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të Azisë, përmes objektivit të fotografit italian Massimo Saretta.
Ideja e këtij projekti ka lindur rreth 25 vite më parë, me një qëllim të qartë: prezantimin e shpirtit të popujve.
Autori i ekspozitës thekson se Durrësi përfaqëson ndalesën e parë të këtij projekti në Shqipëri, duke e vlerësuar qytetin si një hapësirë domethënëse kulturore.
“Janë 84 pamje nga projekti ‘Images from Asia’, i cili lindi fillimisht në Indi, pas një pune tetëvjeçare. Më pas vendosa të vijoj punën edhe në vende të tjera aziatike, si Kina, Japonia, Kamboxhia, Vietnami, Bangladeshi dhe Nepali,” shprehet Saretta.
Fotografitë paraqesin aspekte antropologjike, kulturore dhe fetare të shtatë vendeve aziatike. Ato janë realizuar kryesisht në zona jo turistike, larg itinerareve të zakonshme, me synimin për të sjellë sa më pranë shpirtin autentik të vendeve dhe të njerëzve.
Ekspozita përfaqëson një rrugëtim sa artistik, aq edhe konceptual, larg polemikave, ku realiteti paraqitet me ndjeshmëri dhe ekuilibër.
“Images from Asia” ftoi që në ditën e parë një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj, duke i nxitur të ndalen, të reflektojnë dhe të ndiejnë përmes imazhit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt.



