Në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore është çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, ekspozita me titull “Ikonat e Diço Zografit, koleksioni i Muzeut Historik Kombëtar”.
Siç raporton korrespondentja e MCN tv nga Korça, ideja për organizimin e kësaj ekspozite lindi nga hulumtimet e bëra në fondet e paekspozuara të Muzeut Kombëtar Historik duke nxjerrë në dritë veprat e ikonografit të cilat janë kryesisht ikona të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan.
Floralba Prifti, drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, tha se bashkëpunimi me muzeun historik kombëtar solli objekte shumë të veçanta që i shtohen kësaj ekspozite.
Nga ana tjetër Elsona Kote, përgjegjëse Sektori në Muzeun Historik Kombëtar tha se këtë ekspozitë e sollën pikërisht në Korçë për të plotësuar tematikën e këtij viti që është rrugë jete dhe lidhje.
Në javën e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, Tema e vitit 2024 “Rrugë, rrjete, dhe lidhje”, qëndron më së miri në aktivitetin e organizuar midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, ku trashëgimia jonë kulturore tregon lidhjen e thellë midis popujve, kulturave dhe promovon në mënyrën e duhur rrjetet dhe bashkëudhëtimet e vlerave të përbashkëta në shekuj, si janë ato midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.



