Arti dhe historia shqiptare do të shkrihen së shpejti në një, me premierën botërore, operën solemne "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Kryezot i Arbërit"!
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bën të ditur se nën kompozicionin e shkëlqyer të Vasil S. Toles, shkruar mbi tekstin e Fan S. Nolit, si fitues i “Konkursit mbarëkombëtar të krijimtarisë muzikore” shpallur nga Ministria e Kulturës në vitin 2018, do të kremtohet mes notash pentagrami, historia e kombit shqiptar.
Solemne do të përcillet kjo opera, në 555-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, me profesionalizmin e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB-së, si dhe Korit të Filarmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentëve të talentuar si Sieva Borzak, Dritan Lumshi dhe Hajrullah Syla.
Dhe katër do të jenë solistët virtuozë të kësaj vepre: baritoni Artur Vera, tenori Gerald Murrja, sopranoja Eva Golemi dhe mezzo-sopranoja Amelda Papa.
"Qasuni kësaj ngjarjeje historike, që do të mbetet gjatë në kujtesën e shoqërisë sonë", thuhet në njoftimin e TKOB.
Opera shfaqet premierë me 9 maj prej orës 20:00 në TKOB.




