“Lëndina e arushëve” është libri më i ri për fëmijë nga autorja Rovena Rrozhani, i cili ka mbledhur bashkë fëmijë dhe prindër në një takim me biseda dhe lexime gjatë Panairit të Librit. Një yll i vogël në orbitën e letërsisë për fëmijë, e cilëson autorja Adelina Mamaqi kontributin e Rrozhanit, ndërsa vetë autorja bën me dije se ky libër frymëzohet nga realiteti dhe i fton fëmijë e të rritur që të përshkojnë “të njëjtin rrugëtim”, që ajo ka bërë gjatë shkrimit të “Lëndinës së arushëve”.
Sipas Rrozhanit, letërsia për fëmijë ka nevojë për më shumë botime dhe vëmendje.
“Lëndina e arushëve” është një rrëfim i mbushur me ngjyra dhe fantazi, që sjell në vëmendje historinë e trishtuar të arushit Tomi, i cili nga pylli u jetonte me familjen e tij, përfundon në një kafaz restoranti. Miqësia e tij me Egretën, por edhe dashuria e një djali të vogël për të, janë mbështetja dhe ndihma që arushi të rikthehet në botën e tij. Libri do të vijë së shpejti edhe si shfaqje me maskota për fëmijët.
“Lëndina e arushëve” mund të konsiderohet nga të parët botime shqiptare për fëmijë me tematikë mjedisore. Libri është përzgjedhur për të qenë në konkurrim në Panairin e Librit.



