
Në Durrës po mbahet Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” me titullin “Në kopshtet sekrete të muzikës dhe pikturës”.
Një grup artistësh shqiptarë të drejtuar nga violinisti me famë ndërkombëtare Florian Vlashi, në pesë mbrëmje radhazi, deri më 10 gusht, do t'i japin jetë Bienales "Netët e muzikës klasike", që organizohet tradicionalisht që nga viti 2003.
Katedralja "Shën Luçia", Galeria e arteve "Jozef", holli i Pallatit të Kulturës "Aleksandër Moisiu" dhe salla e koncerteve "Pjetër Dungu" do të jenë mikpritësit e artistëve dhe të pasionuarve të muzikës, duke zgjeruar hartën e mjediseve ku arti dhe veçanërisht muzika dëgjohen dhe vlerësohen.
Sonte, nata e muzikës shqiptare, më 2 gusht i kushtohet kompozitorit Pjetër Gaci.
"Duam të risjellim në vëmendje jo vetëm kontributin e Gacit si kompozitor, por veçanërisht punën e tij të palodhur në lëmin e pedagogjisë muzikore dhe krijimin e shkollës së violinës shqiptare", është shprehur Vlashi.
Gjatë Netëve të Bienales, në harmoni mes muzikës dhe projeksioneve të pikturave, tingujt e Kukuzelit, Bach, Beethoven, etj, do të shkrihen me kryeveprat botërore të El Bosco, Onufri apo Caravaggio.
Edicioni i këtij viti do të mbyllet të premten e ardhshme me koncertin e titulluar "Stinët, nga Vivaldi te Piazzolla".
"Nata e muzikës moderne" është stacioni i fundit i Bienalës dhe organizatorët kanë menduar të sjellin frymëzimin e përbashkët muzikor të dy autorëve që kanë jetuar më shumë se dy shekuj larg njëri tjetrit.





