
Drejtoria e Arkivave ka sjell në vëmendje sot 3 dhjetorin e vitit 1941, datë kur u krijua qeveria e Mustafa Krujës.
Përveçse kryeministër, Kruja mbante edhe detyrën e ministrit dhe sekretarit të shtetit për Punët e Brendshme.
Në përbërje të kabinetit të tij ekzekutiv ishin: Hasan Dosti, ministër dhe sekretar shteti i Drejtësisë, Shuk Gurakuqi, ministër dhe sekretar shteti i Financave, Xhevat Korça, ministër dhe sekretar shteti i Arsimit, Iljaz Agushi, ministër i Punëve Botore, Fuat Dibra (e më pas) Kostandin Kotte, ministër dhe sekretar shteti i Ekonomisë Kombëtare, Tahir Shtylla (e më pas Eqerem Vlora), ministër dhe sekretar shteti i Tokave të Lirueme, Dhimitër Berati, ministër dhe sekretar shteti i Kulturës Popullore dhe Jup Kazazi, ministër dhe sekretar shteti i Partisë Fashiste.
Mustafa Kruja ishte një nga mbështetësit e kryengritjeve antiosmane ai dhe mbështetës i Ismail Qemalit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë.
Kruja mbajti disa poste gjatë periudhës 1912- 1943. Ai u zgjodh si sekretar i parë i Qeverisë së Vlorës, Prefekt i Vlorës, Inspektor arsimi gjatë periudhës së Princ Vidit, pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit dhe përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Parisit, deputet në parlamentin e parë shqiptar dhe kryeministër i vendit gjatë pushtimit italian.
U kthye në atdhe më 1939 pas pushtimit të Shqipërisë dhe largimit të mbretit Zog ku ishte një nga anëtarët e Këshillit të Epërm Fashist Koorporativ (Parlamenti).
Më 1940, ishte një nga inisiatorët dhe drejtuesi i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më 1941 zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë.
Më 10 dhjetor 1941, Kruja paraqiti programin e qeverisë para Këshillit të Epërm Fashist Korporativ (foto më poshtë).
Qeverisja nën drejtimin e Krujës zgjati deri më 4 janar 1943. Në shtator të vitit 1944, Kruja u largua për në Vjenë, si rrjedhojë e probleme familjare dhe pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, zhvilloi veprimtarinë jashtë vendit së bashku me patriotë të tjerë.
Bashkëngjitur Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, paraqet telegrame të Shefqet Verlacit dhe të Maliq Bushatit dërguar prefekturave për të njoftuar krijimin e kabinetit Kruja (1941), si edhe vendimi i Këshillit të Ministave për dorëheqjen e kësaj qeverie (1943).



