Emocione, nostalgji dhe shumë mirënjohje në skenën e teatrit "Petro Marko" të Vlorës, mbrëmjen e së shtunës.
Regjisori, mjeshtri i kamerës dhe penës, Dhimitër Anagnosti ka qenë protagonisti i parë i ciklit të eventeve kulturore "Mirënjohje për artistët e kinematografisë shqiptare" organizuar në Vlorë.
Pjesëmarrës në këtë event emra të mëdhenj të filmit shqiptar, Roza Anagnosti, Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami, ideator i aktivitetit.
Në skenë u ndërthurën montazhe të filmave më të njohur të mjeshtrit Anagnosti, interpretime skenike të aktorëve dhe ekzekutimi i kolonave muzikore të filmave nga orkestra e drejtuar nga dirigjenti Oleg Arapi.
Artistët Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, Kristaq Skrami u shprehën të kënaqur për aktivitetin, ndërsa Kryebashkiaku Dredha vlerëson eventin dhe konfirmon vijimësinë e aktiviteteve të tilla kulturore në Vlorë.
Pritet që ky cikël nderimi të vijojë edhe me të tjera figura të shquara të kinematografisë shqiptare.



