A është dhënia e çmimit “Nobel” një vlerësim për letërsinë dhe veprën artistike të autorit apo një çmim që merr parasysh edhe qëndrimet etike dhe morale të shkrimtarit?! Kjo është pyetja rreth së cilës publicisti dhe botuesi Piro Misha flet para mikrofonit të “TemA TV” në lidhje me Nobelin e sivjetshëm në letërsi. Ndërsa komenton dhënien e çmimit Nobel, austriakut Peter Handke, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Misha, vëren se në fakt ai është një autor i talentuar dhe i rëndësishëm, por që gjithsesi duhej të kishte kërkuar falje për deklaratat dhe qëndrimin e tij pro Miloshevicit.
Piro Misha: Është një problem pa dyshim që juria që e mori përsipër këtë dhe duke e mbrojtur veten,duke gjykuar letërsinë me “ne e gjykojmë letërsinë jashtë veprës së autorit” hapi një polemikë të vetëdijshme, sepse besoj janë të qartë kur në historinë e tyre shkrimtarët më të mëdhenj, siç është Tolstoi, siç është Borgesi më vonë, i cili mbështeste Pinoçetin dhe krimet e tij I justifikonte dhe nuk mori çmimin Nobel. Ndërkohë tani veprohet me një kriter tjetër. Dhe kjo krijon konfuzion realisht. Të shihet Letërsia si letërsi jashtë autorit apo qëndrimet e auitorit, gjykimet e tij, politikat që mban apo dhe qëndrimet morale janë pjesë e këtij gjykimi. Për fat të keq, një nga akuzat që i bëhet çmimit Nobel vazhdimisht është konsiderata politike, në kuptimin gjeopolitik, që shpeshherë bëhet “duhet ta ketë ky vend, duhet ta ketë ky vend” dhe nuk është thjesht letërsi.
Ndërkohë, Misha thekson se peticionet dhe nismat për anullimin e çmimit Nobel janë të kota, pasi diçka e tillë nuk mund të ndodhë, për shkak të mënyrës se si ky çmim funksionon.
Piro Misha: Ka një keqkuptim dhe një lloj folklorizimi në debatet që bëhen në shtypin tonë, për shembull kërkesat të bëhet nga institucionet që të hiqet çmimi Nobel. Çmimi Nobel nuk mund të hiqet asnjëherë. Kemi pasur raste akoma më skandaloze.
Krahas Handke, çmimi Nobel është ndarë edhe për shkrimtaren polake, Olga Tokarczuk, një vepër e së cilës është botuar vetëm pak muaj më parë në shqip, ndërkohë që shumë shpejt do të botohet edhe një vepër tjetër e saj.
Piro Misha: Shkrimtarja tjetër, Olga Tokarczuk,është mjaft më e re në moshë dhe një shkrimtare e rëndësishme. Mua më ka rastisur qëe kam lexuar, madje botova , para se të viaj në këtë detyrë, veprën e saj të parë në shqip. Është marrë dhe e drejta e një prej romaneve të saj kryesore, do të dalë tani shpejt, është mbaruar përkthimi. Është një shkrimtare e rëndësishme, mjaft e rëndësishme. Në anën e saj është krejt tjetër qëndrimi. Ajo është mjaft e guximshme në qëndrimet politike, në një moment kur në Poloni kur në qeveri ka një qeveri populiste të djathtë. Ajo ka mbajtur qëndrime të guximshme, sa shpeshherë ka qenë edhe kërcënuar.
Si botues, Misha vëren se nuk e përjashton mundësinë e botimit në shqip edhe të veprave të Handke, por, duke shmangur ato që në vetvete përmbajnë propagandën e përfolur dhe në një kohë kur zhurma e shkaktuar pas marrjes së Nobelit të jetë fashitur.



