Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e disa aseteve të reja si “Pasuri Kulturore të Paluajtshme” në kuadër të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Në mesin e vendimeve të miratuara është shpallja e Ansamblit Arkitektonik Urban në Delvinë, një zonë me vlera të spikatura arkitektonike dhe urbanistike, e cila synon ruajtjen e identitetit historik të qytetit, si dhe rijetëzimin dhe administrimin e integruar të trashëgimisë.
Po ashtu, është shpallur pasuri kulturore edhe ‘Zona Arkeologjike A në Bushat’, një sit me potencial të lartë arkeologjik që dokumenton zhvillimet e hershme të vendbanimit, nga periudha e Bronzit deri në atë helenistike.
Në listën e re përfshihet gjithashtu Parku Arkeologjik Bylis-Klos, një kompleks i rëndësishëm historik që bashkon qytetet antike të Bylisit dhe Nikajës, duke i trajtuar si një njësi të vetme funksionale dhe kulturore.
Vendimi i fundit parashikon edhe zonifikimin dhe administrimin e Parkut Arkeologjik Orikum sipas Zonave Arkeologjike A dhe B, duke synuar një menaxhim më të specializuar të një siti me vlera të veçanta arkeologjike dhe peizazhore.
Ky grup vendimesh synon rimëkëmbjen e entiteteve historike, konsolidimin e statuseve mbrojtëse dhe angazhimin për investime, me qëllim mbështetjen e komuniteteve lokale dhe zhvillimin e potencialit turistik dhe ekonomik.



