
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin dhe artistin e shquar, si dhe aktivistin e spikatur të shoqërisë civile, Avni Delvina: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë dhe kontributeve të çmuara artistike si piktor i spikatur me vlera dhe merita intelektuale dhe atdhetare, si dhe për forcimin e lidhjeve të gjithanshme, veçanërisht kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë. Në vlerësim të punës së palodhur për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të vyer në radhët e shoqërisë civile, rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë”
Duke i drejtuar mjeshtrit Delvina, familjarëve, artistëve të shumtë, personaliteteve të artit e kulturës si dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta u shpreh se, “Avni Delvina, është një nga pasardhësit e familjes së madhe të Sulejman Delvinës, Shefqet Delvinës dhe të Avni Bej Delvinës, familje me vlera të shquara patriotike, që ka kontribuar në mbrojtjen e trojeve tona kombëtare dhe të interesave kombëtare, duke u vendosur gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit”.
“Avni Delvina mori pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare, ku krijoi lidhje e bashkëpunime me piktorë të ndryshëm të asaj kohe, si Adrian Devoli, Mustafa Arapie shumë të tjerë, bashkëpunime të cilat vazhdojnë edhe sot. I etur për liri e demokraci, në 2 korrik 1990, Avni Delvina ishte ndër ata që vendosi të largohej nga Shqipëria, për t’u vendosur në Itali së bashku me familjen e tij. Iu deshën vetëm pak muaj, pas vendosjes në Itali, që të hapte ekspozitën e tij të parë në Bolonja. Jehona e kësaj ekspozite ishte shumë e madhe dhe bëri që ajo të pasohej edhe nga shumë ekspozita të tjera, ku piktori Delvina u vlerësua edhe nga kritikë të njohur italianë”, tha Delvina.
“Një prej tyre ishte Paolo Zauli, i cili i impresionuar nga veprat dhe krijimtaria e piktorit, hapi një ekspozitë personale, me punime të ndryshme të Avni Delvinës, në galerinë e tij me famë në të gjithë Italinë. Pasioni për t’u shprehur me anë të pikturës dhe të ngjyrave, si dhe ndjenjat e forta që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që Avni Delvina të vlerësohej me çmime të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Meta.
“Ndërkohë që në Romë, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës, piktori Delvina u vlerësua me çmimin Leonardo i Artë, për pikturën dhe peizazhet e tij, të sjella në një formë ndryshe të artit, jo në atë klasike. Vittorio Sgarbi, kritiku i njohur i artit, analist dhe drejtues i shumë emisioneve në Itali, është gjithashtu, një ndër personalitet, që ka vlerësuar punën e Avni Delvinës, dhe ka në koleksion grafikën e tij”, tha Meta.
“Subjektet e krijimtarisë së Delvinës, i kaluan kufijtë evropianë, me ekspozitën e tij ‘The Donald’, e cila iu dedikua Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Donald Trump. Kjo ekspozitë, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ishte unike për nga natyra dhe konceptimi, dhe u bë një lajm në shumë media ndërkombëtare”, shtoi Meta.
“Masivizimi i rrjeteve sociale frymëzoi artistin Delvina, që të nisë një formë të re të shprehjes së artit, atë të grafikës digjitale. Kjo lloj grafike është komunikimi i përditshëm i piktorit Delvina, i cili nëpërmjet qindra punimeve shpreh zërin e tij kritik, kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin”, tha Meta p•ër Delvinen.



