Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve certifikoi zgjedhjen që mijëra shqiptarë i bënë emrit Arber për planetin HD 82886b dhe emrit Illyrian për yllin rrotull të cilit ai sillet.
Këto dy objekte astronomike ndodhen më shumë se 400 vite-dritë larg nesh, distancë gjigande në dimensionin njerëzor, por e vogël në dimensionin universal, të cilin njerëzimi po përpiqet ta kuptojë, eksplorojë e madje ta pushtojë.
“The Name Exo World” ka zgjedhur të emërtojë sisteme planetare rreth yjeve që mund të vëzhgoheshin me një teleskop të vogël nga kryeqyteti i secilit vend.
Në shumë raste, sistemi ka një lidhje me vendin e caktuar, siç janë objektet e përdorura dhe shkencëtarët e përfshirë në zbulimin e planetit.
Disa vite kërkimesh janë të nevojshme për të shqyrtuar sistemin planetar në mënyrë që të konfirmohet ekzistenca e planetit. Për këtë arsye, kërkimi është përqendruar në ekzoplanetë të zbuluar gjatë dy dekadave të para të eksplorimit, domethënë, shumica e tyre janë zbuluar para vitit 2010.
Shumica e yjeve pritës janë të ngjashëm me Diellin, me lloje spektrale F, G, ose M. Të gjitha ekzoplanetet ka të ngjarë të jenë gjigantë të gaztë me përmasa që shkojnë nga 0,1 deri në 5 herë më shumë se masa e Jupiterit. Kjo do të thotë që këto ekzoplanetë janë shumë më masive se Toka, nga rreth 30 deri në 1600 herë më shumë.
Të gjitha këto sisteme përbëhen nga yje me vetëm një planet të njohur që rrotullohen rreth tyre, në mënyrë që çdo vend të ketë një mundësi të barabartë për të emëruar trupa të ngjashëm qiellorë.



