
Ylli i muzikës pop Rita Ora ka mbërtiur në Kosovë ku do të mbaj edhe një koncert me rastin e Pavarësisë. Pak pas mbëritjes në Prishtinë ylli i muzikës botërore me prejardhje nga Kosova Rita Ora, në një konferencë me gazetarë duke bërë me duar simbolin e shqiponjë dha një mesazh për dhjetë vjetorin e pavarësisë.
Pak shqip e më shumë anglisht, këngëtarja deklaroi se “Sa më shumë që jemi, më të mëdhenj bëhemi”.
Këngëtarja e shumë hiteve botërore ka deklaruar se ndihet shumë e lumtur që ndodhet në Kosovë, sepse do ta mbajë koncertin më të mirë të saj deri më tani. Ajo tha se ndihet shumë e lumtur që Kosova tani po përfaqësohet në botë edhe përmes këngëtareve tjera shqiptare si Dua Lipa, Bebe Rexha. Sipas saj sa më shumë këngëtarë që e përfaqësojnë Kosovën aq më mirë do të jetë për Kosovën.
Ylli botëror Rita Ora edhe pse kishte vështirësi të fliste në gjuhën shqipe ka deklaruar sot ndihet më shumë nervoze se në çdo koncert tjetër, pasi që dëshiron që gjithçka të shkoj mirë. Ora tha se përveç koncertit do të dëshironte që të vizitonte shumë Kosovën edhe pse është vend i vogël është shumë i bukur.
“Jam shumë e lumtur që kisha kohë të vija këtu, dëshiroja të mbaja koncert dhe ta shoh vendin dhe ta shoh Kosovën sepse e di që është e vogël, por është një vend shumë i bukur, po të kisha mundësi do t’i takoja të gjithë ishte rrugëtim i gjatë për të ardhur në këtë pikë dhe është vetëm fillimi i një rrugëtimi të vazhdueshëm për vendin tonë“, u shpreh ajo.
Por në konferencën me gazetarët nuk munguan edhe batutat ku njëri prej tyre i ka bëri propozim për martesë këngëtares.
Ishte Fisnik Zymi nga RTD, i cili mori përgjigjen plot humor nga Rita:
“Nuk e di, po mendoj vetëm pak, ndoshta mund ta kemi një takim përpara. Po bëj shaka”, tha Ora.
Ndërkohë këngëtarja është pritur në një takim edhe nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
“Shumë faleminderit, e kam nderin t’jua jap një shenjë të Kosovës, është harta e Kosovës, harta e artë e Kosovës dhe një letër që shkon me të. Dhe paçi shëndet!”, i ka thënë Haradinaj me rastin e dhënies së dhuratës.



