Guvernatori i Illinois-it në SHBA, JB Pritzker, ka shpallur 28 janarin si “Ditën e Visar Zhitit”, në nder të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, simbol i rezistencës ndaj shtypjes.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë lajm një moment historik për letërsinë dhe të drejtat e njeriut.
Kjo datë përkon me lirimin e Visar Zhitit nga burgu më 28 janar 1987, duke e bërë këtë ditë një simbol të triumfit të lirisë mbi tiraninë.
Në proklamatën e shpallur, theksohet fuqia e poezisë për të ndriçuar errësirën dhe kontributi i Visar Zhitit në pasurimin e kulturës në Illinois dhe më gjerë.
Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, Edon Shaqiri, dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras, në një ceremoni të mbajtur në Chicago, ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme, të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA.

Aktori i njohur hollivudian me origjinë shqiptare, Jim Belushi, recitoi në anglisht poezinë e Visar Zhitit "Ketrat në Uashington", nga libri i porsa ribotuar në SHBA, “The Condemned Apple” ("Molla e Dënuar").

Visar Zhiti ka lindur në Durrës më 2 dhjetor 1952. Në rininë e tij u përndoq nga regjimi komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare, si deputet, ministër dhe diplomat.
Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhjen me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha nisi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.
Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, i dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.
Ai u arrestua më 8 nëntor 1979 dhe u dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me 13 vjet burg.
U lirua nga burgu më 28 janar 1987. Pas rënies së diktaturës komuniste, karriera e tij si shkrimtar, publicist dhe diplomat pati vetëm arritje.



