“365 ditë”, një triller erotik që u shfaq në Netflix në 7 qershor, është filmi më i komentuar i momentit. Pavarësisht se në Rotten Tomatoes nuk ka marrë asnjë vlerësim, filmi është kthyer në sensacion falë rrjeteve sociale. Filmi mban autorësinë e dy polakëve Barbara Bialowas dhe Tomasz Mandes.
I shkruar në anglisht dhe me titra të rastit polonisht dhe italisht, skenari është i thjeshtë: Bosi mafioz sicilian, Massimo (Michele Morrone) rrëmben Laurën (aktorja e re polake Anna-Maria Sieklucka) dhe i jep asaj një vit kohë të dashurohet me të para se ta lejojë të largohet nga rezidenca e tij luksoze.
Kritikët thonë se filmi glorifikon kulturën e përdhunimit dhe sindromën e Stokholmit. Por ajo për të cilën nuk ka diskutim është fakti se pa promocion, filmi mbetet në listën e 10 më të shikuarve në Netflix në SHBA dhe në vende si Asutralia, Britania, Brazili, Franca, Spanja dhe India.
Skenari bazohet në trilogjinë e polakes Blanka Lipinska dhe ka detaje të forta erotike, një element që ka garantuar sukses edhe për filma të tjerë përgjatë izolimit të shkaktuar nga pandemia.
Skenat përfshijnë praktika seksuale nga më të ndryshmet, që e lëvizin filmin mes nuancave të erotikes dhe pornos.
Ajo që e bëri akoma më të famshëm këtë film është rrjeti TikTok, ku adoleshentët kanë postuar reagimet e tyre ndërsa shihnin skenat e tij. Vetëm një prej këtyre videove, ajo e 18-vjeçarit Noah Holifield, ka mbi 2.6 milionë shikime.
Disa nga kritikat e filmit "365 ditë" të kujtojnë ato që iu bënë trilogjisë "50 Shades of Grey", një tjetër libër dhe film erotik që ka në qendër një njeri të pasur, të fuqishëm dhe që pëlqen praktikat seksuale BDSM.
Pavarësisht mesazhit që mund të marrë shikuesi, Morrone thotë se filmi është fantazi e pastër dhe se ai "kurrë nuk do të inkurajojë ose dëshirojë që dikush të dashurohet me rrëmbyesin e tij në jetën e vërtetë".
Dr.Goali Saedi Bocci, psikolog, thotë se filma të tillë vetëm sa i turbullojnë ujërat.
"Ka shumë keqkuptime në lidhje me pëlqimin seksual dhe sulmin" në jetën reale, tha Bocci, "dhe filma të tillë vazhdojnë të baltosin ujërat." Rreziku është që burrat dhe gratë "mund të jenë viktima të sulmeve seksuale, përdhunimeve, ngacmimeve dhe as të mos i kuptojnë si të tilla".
“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në raport me median që konsumojmë sepse, na pëlqen apo jo, këto gjëra hyjnë në nënvetëdijen tonë”, thotë ajo.
Megjithatë, filmi i ka mbledhur fansat e vet. Këtë e tregon llogaria në Instagram e aktorit protagonist, Michele Morrone, e cila është rritur nga më pak se 200 000 ndjekës në janar, në mbi 7 milionë në fund të qershorit. Është një kthesë e papritur për djalin e një punëtori ndërtimi dhe një shtëpiakeje. Morrone, 29 vjeç, italian, pikturon dhe vallëzon (ai ishte konkurrent në sezonin e 2016-s në “Dancing With the Stars” Italia).
Nga një aktor në tentativë, pasi sipas tij në Itali në këtë profesion, të jesh i bukur më shumë të penalizon sesa të ndihmon, ai ka tashmë një kontratë botërore me Universal Music Group. / Marrë me shkurtime nga New York Times /



