Shqipëria edhe këtë vit do të jetë pjesë e Bienales së Venecias. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti prezantoi pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë Bienale dhe pavijonin që do të jetë i dedikuar enkas për Shqipërinë.
“Bienalja e Venecias hap dyert me pavijonet e saj të arkitekturës më datë 20 maj ku do të qëndrojë e hapur një muaj, pas një viti mungese për shkak të pandemisë. Pjesëmarrja në këtë Bienale pa dyshim që është një mesazh shprese sidomos prej pandemisë çka tregon edhe luftën tonë për të ardhur me një temë që vazhdon aktuale “Si do të jetojmë së bashku. Kjo ishte një temë për të cilën ne nuk patëm sforco dhe bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare. Ne nuk kemi pasur një shtëpi sepse shtëpia jonë ishte bashkëjetesa dhe fqinjësia. Ky pavijon vendos në filozofinë dhe themelin e tij rikthimin e fqinjësisë sidomos gjatë pandemisë që na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër”, vijoi Margariti.
Një nga kuratoret kryesore të pavijonit të Shqipërisë Fiona Mali tha se “falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës u krijua mundësia që ne të merrnim pjesë në mënyrë dinjitoze në këtë event kaq të rëndësishëm”.
“Ky element përmban histori të jashtëzakonshme. Gjithashtu duke shfrytëzuar kinematografinë shqiptare me 20 filma ne çojmë në Venecia jo vetëm fqinjësinë por edhe kinematografinë shqiptare. “Të njohim fqinjin” është një shqetësim, ndaj edhe ne vendosëm ta sillnim në fokus ditët e sotme ku mënyra e jetesës në mënyrë individuale është kthyer në një tjetër pandemi”, tha Mali.



