Biblioteka Kombëtare ka çelur ekspozitën tematike “Pinoku-145 vjet”, me rastin e 145-vjetorit të botimit të parë të një prej veprave më të dashura të letërsisë botërore për fëmijë.
E vendosur në sallën italiane të qendrës “Sotir Kolea”, ekspozita i kushtohet historisë editoriale të “Aventurave të Pinokut”, një nga librat më të përkthyer dhe më të lexuar në botë.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin botime të hershme të veprës, materiale mbi historinë e saj botuese dhe rrugëtimin e një prej personazheve më të dashur të letërsisë për fëmijë.
“Aventurat e Pinokut” u shkrua nga gazetari dhe shkrimtari italian Carlo Collodi (1826–1890).
Historia u botua fillimisht me pjesë në vitin 1881, ndërsa si libër në vitin 1883.
Personazhi kryesor, Pinoku, është një kukull prej druri që dëshiron të bëhet një djalë i vërtetë. Gjatë rrugëtimit të tij ai përballet me tundime, sprova dhe gabime, duke mësuar të dallojë të mirën nga e keqja.
Vepra është përkthyer në qindra gjuhë dhe dialekte, është botuar në miliona kopje dhe konsiderohet një nga librat më të përkthyer në historinë e letërsisë.
Ajo ka frymëzuar gjithashtu filma, seriale televizive, shfaqje teatrore, opera, balet dhe ilustrime të shumta.
Edhe pas 145 vitesh nga botimi i parë, Pinoku mbetet një simbol universal i fëmijërisë, sinqeritetit dhe vlerave morale.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë gjithë kësaj jave.




