Në galerinë FAB të Universitetit të Arteve në Tiranë është çelur “Ekspozita shëtitëse e 50 artistëve nga Kosova”, një prezantim i pasur dhe shumëllojshëm i artit vizual bashkëkohor.
Më shumë se 50 artistë nga Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës (AAVK) sollën punime në pikturë, skulpturë dhe media të tjera pamore, në një manifestim që thekson vlerat krijuese të Kosovës dhe fuqinë e artit si mjet komunikimi ndërkulturor.
Ekspozita është kuruar dhe organizuar nga Kamuran Goranci, i cili thekson se çdo vepër është një ndërthurje mes kujtesës dhe vizionit për të ardhmen, një takim mes traditës dhe eksperimentit, ku arti shndërrohet në dëshmi, pyetje dhe ftesë për dialog.
“Këto krijime nuk qëndrojnë të izoluara brenda mureve të galerisë – ato flasin përtej kufijve, duke e bërë artin një gjuhë universale që bashkon Tiranën me Prishtinën dhe më gjerë,” u shpreh Goranci.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në prani të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, rektorit të Universitetit të Arteve, prof. dr. Erald Bakalli, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, z. Bislim Bislimi, si dhe shumë artistëve dhe pedagogëve të fushës së artit.
Ekspozita shëtitëse e AAVK-së synon të forcojë urat kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar hapësira të reja komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet artistëve, institucioneve dhe publikut të gjerë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të javës.



