
Në kuadër të “Muajit të trashëgimisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka postuar sot foton e kishës së Kepit të Rodonit, e cila është njëra nga pikat më të vizitueshme nga turistët vendas e të huaj.
Margariti e cilëson Kishën e Shna Ndout si një nga më domethënëset për besimtarët dhe turistë, e cila iu kthye atyre pas restaurimit nga tërmeti.
Kisha e Shna Ndout në Kepin e Rodonit, një nga më të bukurat dhe domethënëset për besimtarët e krishterë, iu rikthye besimtarëve dhe turistëve, falë mbështetjes së misionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, përmes programit EU4Culture Albania, që mundësoi restaurimin e këtij monumenti të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.
Kisha e Shën Ndout, është monument i trashëgimisë kulturore me një arkitekturë romaniko-gotike e shek. XIII.
Ajo është një ndër kishat më të dëgjuara në periudhën e Mesjetës, edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në zonën e Kepit në shekullin XV.
Për ndërtimin e kësaj kishe është përdorur teknika bizantine e klausonazhit, por dallohen edhe elementë të arkitekturës romanike dhe gotike, si harqet me majë.



