
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në çatinë e Kishës së Shën Thanasit në Voskopojë.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila theksoi se objekti, monument kulture i kategorisë I, i cili aktualisht paraqitet në gjendje të degraduar në të gjithë elementët e tij strukturorë dhe arkitektonikë, do t’i nënshtrohet tashmë restaurimit.
Ky monument, theksoi Margariti, përbën një dëshmi me vlerë në hulumtimin e historisë ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike të Voskopojës.

Kisha e Shën Thanasit, në Voskopojë është dëmtuar nga faktorët natyrorë dhe reshjeve përgjatë stinës së dimrit. Ndërsa ditët e fundit një pjesë e çatisë është shembur dhe uji i shiut ka rënë brenda.
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njejtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada.



