Një nga tragjeditë më të fuqishme të teatrit botëror rikthehet në skenën shqiptare. Otello i Ëilliam Shakespeare vjen në Teatri Kombëtar me regji të Qëndrim Rijani, në një version modern dhe bashkëkohor që sjell në qendër xhelozinë, manipulimin dhe ndjesinë e të qenit i huaj në shoqëri.
Në skenë ngjiten aktorë të njohur si Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Linda Jarani, Donald Shehu, Viktor Zhusti dhe shumë të tjerë.
Përkthimi i Fan Noli ruan konfliktin e madh të Shekspirit, ku Otello, një gjeneral i nderuar, shkatërrohet nga intrigat e Jagos dhe dyshimi ndaj Desdemonës.
Por kësaj here, regjisori e zhvendos historinë në një realitet urban dhe modern.
Në këtë version, përplasja fetare dhe identitare e personazheve bëhet më e dukshme. Otello paraqitet si një i huaj që lufton për një shoqëri që nuk e pranon plotësisht.
Përmes një skenografie metalike, korridoreve të ngushta dhe dheut në skenë, shfaqja ndërton atmosferën e izolimit dhe rrënimit moral të personazheve.
Otello do të shfaqet në në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”, më 15, 16 dhe 17 maj, me fillim prej orës 20:00.



