
Akademia e Shkencave ka përkujtuar sot ditëlindjet e dy poetëve të mëdhenj, Migjeni dhe Dritëro Agolli
Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla) u lind më 13 tetor të vitit 1911, në Shkodër, në një familje ortodokse.
Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani, një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës së Maqedonisë ku ishte pjesë e besimit ortodoks.
Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit. Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë, derisa më 1933-shin u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten "Illyria". Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.
Është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare.
Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.
Secila poezi, skicë, rrëfim a novelë e shkruar nga Migjeni, është antologjike, për faktin se ai ka arritur që me vizionin e tij krijues të shkruajë për të gjitha plagët sociale të njeriut, të shqiptarit të kohës, por jo vetëm të atij.
Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publicistikën dhe në prozën përparimtare të kohës.
Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet “A don qymyr zotni?”, “Studenti në shtëpi”, “Të çelën arkapijat”, “Historia e njenës nga ato”, “Qershijat”, “Bukën tonë të përditshme falna zot”, në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë.
Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon sesi dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t’i siguruar fëmijës një cope bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologue dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës.
Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t’i dallosh nga tregimi.
Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.
Poezia e Migjenit është novatore, pasqyroi botën shqiptare në vitet '30 me protestat, dhimbjet, ëndrrat dhe shpresat për të ardhmen. Vëllimin e tij "Vargjet e lira", Migjeni e hapte me vjershën "Parathënia e parathënieve", ku shpërthen gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Pas kësaj, vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: "Kangët e ringjalljes", "Kangët e mjerimit", "Kangët e perëndimit", "Kangët më vete", "Kangët e rinisë" dhe "Kangët e fundit".
Vepra letrare e Migjenit tashmë ka hyrë në thesarin e kulturës ndërkombëtare. Poezitë dhe prozat e poetit të shquar janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Migjeni gjendet në botime të plota ose të pjesëshme, në vëllime të veçanta me emër të tij ose ndër përmbledhje prozash apo antologjishë në këto gjuhë; gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, spanjisht, rusisht, ukrainisht, bullgarisht, lituanisht, greqisht, mongolisht, turqisht, arabisht, vietnamisht, serbokroatisht, maqedonisht dhe në gjuhën kineze. Për të parën herë, vepra e tij filloi të njihet në formë fragmentare në një gjuhë të huaj pikërisht në gjermanisht, më 1948, përmes përkthimit të “Lulit të vocërr”, që u bë nga albanologu i mirënjohur Prof. Dr. Maksimilian Lambertz, në librin e tij “Lexime shqiptare”, botuar në Lajpcig.
Migjeni u nda nga jeta në moshë shumë të re, në Torre Pellice, Itali, më 26 gusht 1938.
Përkujtohet sot në 91-vjetorin e lindjes, Dritëro Agolli një nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. Ende në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ai boton në shtypin e kohës poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”.
Vepra letrare e shkrimtarit nga Devolli krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare dhe u përkthye në disa vende të botës.
Dritëro Agolli vlerësohet si një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”.
Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtar i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Ndërsa në prozë, kontributi më i rëndësishëm i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Ndërkohë që spikasin romanet “Komisari Memo” dhe “Njeriu me Top”.
Vepra e fundit e Dritëro Agollit është libri me poezi “Prit edhe pak” kushtuar bashkëshortes Sadije.
Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës e Gjirokastrës.
Agolli i nda nga jeta më 3 shkurt të vitit 2017.



