Falë programit EU4CULTURE ndërtesa e Muzeut Etnografik të Krujës po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, procesit të muzealizimit dhe përmirësimit të ekspozimit të artefakteve.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila përmes rrjeteve sociale, ka njoftuar përkitazi me punimet që po kryhen në këtë muze etnografik.
Specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore inspektuan nga afër ecurinë e punimeve, të cilat kanë për qëllim restaurimin dhe konservimin e të gjithë strukturës dhe elementëve të saj dekorativë, përmirësimin e sistemit elektrik, hidraulik, sistemin e survejimit dhe mbrojtjes nga zjarri.
Shumë shpejt ky muze do të mund t’iu flasë vizitorëve jo vetëm me artefakte, por edhe nëpërmjet gjuhës së teknologjisë.
Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.
Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara, me theks të veçantë në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore.



