
Një universitet në SHBA i hoqi emrin “Karl Marks” një salle studimi, duke e motivuar këtë vendim me agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Pllaka me foton dhe emrin e filozofit gjerman u hoq nga hyrja e dhomës së studimit 229 në Universitetin e Floridës.
“Duke pasur parasysh ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe gjetkë në botë, ne gjykuam se ishte e përshtatshme të hiqnim emrin e Karl Marksit që ishte vendosur në një dhomë studimi grupor në Universitetin e Floridës në vitin 2014,” tha Hessy Fernandez, drejtor i komunikimeve strategjike në Universitetin e Floridës.
Marksi ndikoi botën me librin e tij, “Manifesti Komunist” në 1848. Edhe pse disa e citojnë veprën e Marksit si frymëzim për revolucionin komunist të Rusisë, shumica e historianëve bien dakord se ai nuk u zbatua ashtu siç kishte menduar Marksi.
Marksi ka qenë gjithmonë një figurë historike polarizuese, kështu që vendimi për të hequr ose mbajtur pllakën ka të ngjarë të shkaktonte bujë në çdo rast.
Dhoma e studimit 229 është në Bibliotekën Perëndimore të Bibliotekave të George A. Smathers në kampus. Dhomat e tjera të studimit në ndërtesë janë emëruar sipas figurave të famshme historike, duke përfshirë Martin Luther King Jr., Margaret Mead, Gandhi etj.
“Anulimi” i Marksit është vendimi i radhës në vazhdën e disa të tillave që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Ajo që në botën e artit vitet e fundit është emërtuar si kultura e anulimit, që prej 24 shkurtit ka marrë formën e rusofobisë, e cila nuk ka kursyer edhe emrat më të mëdhenj të letërsisë klasike ruse. Pak ditë më parë, Universiteti Bicocca në Milano vendosi heqjen e leksioneve për veprën e shkrimtarit rus Fjodor Dostojevski. Leksionet u rihapën pas reagimeve të shumta të njerëzve të letrave, të cilët e cilësuan atë një censurë qesharake.
Rasti i emrit të Marksit është një formë akoma më e rëndë e asaj që njihet si kultura e anulimit. “Vetëm një kokë nga e cila është anuluar çdo formë kulture, mund ta lidhë Marksin me Rusinë e sotme. Si fillim, Marksi ishte gjerman dhe vdiq në Londër me bindjen se komunizmi do të zërë rrënjë kudo, përveç Moskës”, shkruan Massimo Gramellini në Corriere della Sera.
Absurditetin e vendimeve të tilla e “mbërthen” më së miri një komentues anonim në një nga memet e rrjetit. “Na duhet të çarmatosemi nga kjo marrëzi, përpara se Putini, në shenjë hakmarrjeje, të vendosë t’ia ndryshojë emrin kryeveprës së Tolstoit në "Operacioni Special Ushtarak dhe Paqja".



