
Ministria e Kulturës dhe Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit nënshkruan marrëveshjen e administrimit të pasurisë kulturore të Parkut të Butrintit.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe bashkëdrejtorët ekzekutivë të AADF-së Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të autorizuar nga Bordi i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, u firmos protokolli i bashkëpunimit midis Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga Belisa Muka.

“Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore, Richard Hodges, një njohës i mirë i Butrintit, që do të shërbejë si garanci dhe paanshmëri.
Marrëveshja që po lidhim sot krijon një model menaxhimi hibrid jofitimprurës ku shteti është pjesë, por i jep zë dhe garanci edhe donatorit për administrimin e fondeve”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Sipas ministres Margariti, kjo marrëveshje krijon një marrëdhënie të mirërregulluar mes fondacionit të posaçëm dhe aktorëve të rëndësishëm institucionalë në Butrint, përmes Protokollit të bashkëpunimit me Institutin e Arkeologjisë; bashkëpunimit me agjencitë e mbrojtjes mjedisore.
“Çdo e ardhur në arkën e Butrintit do t’i shkojë sërish Butrintit duke e kthyer edhe në një qendër studimore dhe edukuese për brezin e ri”, shtoi Margariti.
Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.
Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.
Marrëveshja garanton investime të rëndësishme në infrastrukturë tre vitet e para, me krijimin e një qendre bashkëkohore për pritjen e vizitorëve, si dhe shërbime të integruara; do të menaxhojë fluksin e vizitorëve që ne mendojmë se do të jetë shumë më i madh se sot, përmes shërbimeve digjitale (audio-guida, ture virtuale, etj.) e stacioneve të qëndrimit.
Një hap tepër i rëndësishëm është krijimi i Qendrës Kërkimore- Butrint Research Group, i cili do kryejë studime të fushave të ndryshme në të mirë të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe përfshin aktorë të tjerë institucionalë nga Turizmi, Mjedisi, Instituti Arkeologjisë, infrastruktura.
Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948, ndërsa më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.



