
Muzeu Historik Kombëtar ka njoftuar daljen në dritë të botimit “Studime Muzeologjike”, i cili vjen sërish për lexuesin e interesuar, këtë herë në numrin 11 të tij.
“Studime Muzeologjike” është organ i Muzeut Historik Kombëtar. Si i tillë, ai është i përqendruar, por jo i kufizuar në tema dhe emrat e bashkëpunëtorëve.
Dalja në qarkullim e “Studime Muzeologjike 11” u bë e mundur përmes punës së një redaksie të zgjeruar e mjaft të kualifikuar, anëtarë të së cilës janë: Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Vasil Tole, Prof. Dr. Piro Misha, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, Dr. Skënder Bushi dhe Andrea Llukani.
Në numrin 11-të të tij, revista shkencore “Studime Muzeologjike” ka të përzgjedhur një seri shkrimesh, të cilat i përmbahen muzeologjisë, historisë, antropologjisë, por ka të trajtuara gjithashtu dhe histori arti, konservim e restaurim.
Revista përmban 14 shkrime me tema të ndryshme, ku të bien në sy ajo e shkruar nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi me titull: “Muzealizimi i historisë së pranisë dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri”.
Më pas vjen punimi i Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi me titull: “Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Balli Kombëtar gjatë muajve tetor-nëntor 1943”; punimi i Prof. asoc. dr. Zaho Golemi me titull: “Gjaku arbëror për Vilajetin e Janinës në katër epoka”.
Ndërkohë që janë paraqitur me punimet e tyre Prof. Asoc. Dr. Bashkim Vrekaj, Prof. Asoc. Dr. Jaho Cana, Prof. Asoc. Dr. Frederik Stamati, Dr. Eduart Caka, Dr. Denisa Tare, Ma. Alma Mile, Ma. Brunilda Prifti, Ylli Sulaj, Fjoralba Prifti, Andrea Llukani e Spiro Nika.
Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është: të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit.



