
Në qytetin e Krujës u prezantua sot projekti për restaurimin e Muzeut Etnografik të Krujës, si dhe granti i Bashkimit Evropian për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, ministrja e Kulturës Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Krujës Artur Bushi, specialistë të trashëgimisë kulturore, etj.
Pikërisht për trashëgiminë kulturore me Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian kemi hartuar një program që hap pas hapi do të jetësohet me nisma konkret. Po ashtu programi EU4Culture është një burim tjetër energjie dhe sinergjie mes nesh dhe Komisionit Evropian. Këto burime plotësohen dhe harmonizohen edhe falë një ndërhyrje të re të qeverisë përmes Ministrisë së Kulturës për të stimuluar ekonominë familjare të atyre që kanë trashëguar banesa në zonat historike, që kanë trashëguar banesa me vlera të trashëgimisë kulturore me të cilët ne jemi sot të gatshëm të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, ku qeveria do të financojë projektet e tyre dhe ata do të përfitojnë nga grantet e qeverisë dhe Komisionit Evropian, për të transferuar banesat e vjetra e shpesh të pabanuara në një hapësirë të një aktiviteti ekonomik, që do të krijojnë vetëpunësim, punësim dhe ekonomi për familjet, por edhe vlerë të shtuar për turizmin dhe ekonominë e zonës, tha Rama.
Nga ana tjetër, Soreca deklaroi se restaurimi që do të kryhet në muzë do të kapë vlerën e 500 mijë eurove.
Ai theksoi se do të investohet në ato subjekte lokale që kanë dëshirë për të rijetëzuar dhe rikthyer bazën e vjetër tradicionale.
Ne kemi diskutuar se çfarë mund të bënte BE-ja për të mbështetur rijetizimin e këtij vendi simbolik dhe historik për Shqipërinë. Për të qenë të gjithë dëshmitarë të fillimit të dy rezultateve të rëndësishme që do të shohim për të ardhmen e kjo me ndihmën e BE, deklaroi ambasadori.
Sipas tij me anë të programit BE-së për kulturën do të nisë çelja e propozimeve për grante zhvillimore lokale, që janë grante me shifrën totale 350 mijë euro.



