
"Asnjëri prej tyre nuk e pëlqen ndryshimin e tonit dhe kjo ishte e vetmja vështirësi për t’u kapërcyer", thotë Massimiliano Pani, djali dhe producenti i Mina-s.
Më 22 nëntor, pas 2 vitesh punë, del Mina Fossati një album për të cilin dy protagonistët e muzikës italiane, kohë më parë, larg vëmendjes, kishin folur për herë të parë më 1996. "Pastaj për shkak të diçkaje në kompanitë e regjistrimit nuk shkoi ashtu si duhej”, tha Ivano Fossati.
“Kur dy vjet më parë zbulova se Mina ishte akoma duke menduar për këtë ide, unë ngurrova, por kur gruaja ime e mori vesh më tha: “Nëse i thuash jo Mina-s unë do të kërkoj divorcin”. Të punosh me të është një gëzim që kurrë nuk do t’ia kisha mohuar vetes sime, gjithsesi, pasi asnjë muzikant me mend në kokë nuk do t’i thoshte jo asaj", deklaron Fossati.
Para 8 vjetësh, Fossati kishte vendosur të shkëputej nga rutina ku ishte përfshirë për 42 vjet me radhë (disqe, intervista, turne).
"Të punosh me më të mirët është më e lehtë, sepse nuk kanë dobësi, ata e dinë se çfarë bëjnë dhe e bëjnë më së miri. Ata këndojnë në mënyrë të ngjashme dhe për të dy kanë shumë rëndësi emocionet, dhe jo për performanca teknike. Ivano në fillim ngurronte, pastaj filloi të dërgonte pjesë dhe sa herë që vinte kishte një surprizë. Ai ka një venë të jashtëzakonshme kompozicionale, nuk mendoj se ka ndonjë që shkruan si ai. Është një gjigant”, tha Massimiliano Pani. Duke folur për nënën, ai thotë se vazhdon të mahnitet dhe emocionohet sa herë që punon me të.
Një album me balada blues-rock, të drejtpërdrejta dhe prekëse. Disku flet për rëndësinë e përqendrimit në të tashmen, për ndjenjat dhe dashurinë.
"Kush e di pse më konsiderojnë ekspert në këtë temë kur përkundrazi unë kurrë nuk kam kuptuar asgjë. Së paku gratë i kam dëgjuar gjithmonë, të gjitha”, bën shaka Fossati. /Ansa, përgatiti Erina Çoku/



