
Më 23 tetor 1871, lindi në Fishtë të Zadrimës, Homeri i letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta.
I quajtur Zef, por i vetëpagëzuar më vonë Gjergj, si heroi kombëtar, Fishta dalloi që në moshën 6-vjeçare për zgjuarsinë e tij, çka ra në sy të famullitarit të fshatit, i cili ndërhyri që të dërgohet në Seminarin Françeskan të Shkodrës.
Mësimet e para i mori në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnje, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.
Në vitin 1913, themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924.
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, Fishta konsiderohet si një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara nga shekulli XX dhe me një krijimtari që pasqyron elemente të romantizmit, realizmit dhe klasicizmit.
Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939).
Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, kryevepra e poezisë epike shqiptare, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.
Më 1907 botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” dhe më 1913 “Mrizi i Zanave”.
“Lahuta e Malcís” dhe veprat e tjera të At Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore prej vendosjes së diktaturës. Poema madhore epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990, rishtas në Romë më 1991, është përkthyer në gjermanisht (Maksimilian Lamberc), italisht (Imzot Jul Bonati, Ernest Koliqi), në anglisht (Robert Elsie) dhe në frëngjisht (Abidin Krasniqi.
Atë Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940.



