Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë çelësin e qytetit, arkitetit kroat Andrija Mutnjaković, arkitekt i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Kënaqësi shumë e veçantë t’i dhurojmë çelësin e Prishtinës Andrija Mutnjaković, arkitektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, si një simbol i mirënjohjes dhe vlerësimit nga unë dhe qytetarët e Prishtinës për kontributin e jashtëzakonshëm në krijimin e një veçantie dhe ekspresiviteti të guximshëm të qytetit tonë.
Pikërisht godina e Bibliotekës, e cila na jep një ndjenjë krenarie, identiteti dhe nderi, është arsyeja pse zgjodha të bëhesha arkitekt.
Qëllimi i arkitektit Andrija Mutnjaković, ishte të krijonte një ndërthurje të rrethimit rural të kryeqytetit me motive moderne. Ndërtesa është e mbuluar me kupola dhe me rrjetëzim metalik, duke bërë bashkë trajtat tradicionale me ato moderne, në një formë origjinale.
E inauguruar në vitin 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një nga ndërtesat më të veçanta e një prej arkivave më të rëndësishme të librit në Ballkan.
Kjo bibliotekë ndodhet në qendër të Prishtinës dhe si institucion nuk reflekton vetëm vlera kulturore por edhe vlera të inovacionit arkitekturor.



