Nis edicioni i dytë i ‘Festivalit Ndërkombëtar të Bandave’ në Korçë, marrin pjesë rreth 200 artistë

Nis edicioni i dytë i ‘Festivalit Ndërkombëtar të Bandave’ në Korçë, marrin pjesë rreth 200 artistë

Korça është kthyer edhe këtë vit në kryeqendrën e muzikës frymore, duke mirëpritur edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Bandave, një aktivitet që synon të shndërrohet në një traditë të rëndësishme kulturore për qytetin dhe gjithë Shqipërinë.

 

Rreth 200 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia janë bërë pjesë e festivalit, i cili përfshin parada artistike, koncerte në hapësirat publike të qytetit, si dhe ëorkshop-e për të rinjtë dhe të apasionuarit pas instrumenteve të frymës.

 

Organizatori i festivalit, Ilir Kodhima, u shpreh se qëllimi i këtij aktiviteti është të sjellë në Korçë banda me traditë nga vende të ndryshme, të krijojë ura bashkëpunimi mes artistëve dhe të promovojë muzikën frymore te brezat e rinj. 

Sipas tij, në festival marrin pjesë Banda e Qytetit të Korçës, Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe një bandë italiane me mbi 200 vite histori.

 

Pjesëmarrësit nga jashtë vendit vlerësuan organizimin dhe mikpritjen e Korçës.

 

 Dirigjenti i orkestrës nga Kotori i Malit të Zi, Dario Krivokapiç, u shpreh se kjo është hera e parë që ansambli i tij performon në Shqipëri dhe e cilësoi festivalin një organizim të shkëlqyer. Ai bëri të ditur se orkestra, e themeluar në vitin 1842, do të interpretojë marshime, muzikë klasike, kolona zanore filmash dhe vepra të njohura.

 

Edhe drejtuesi i bandës italiane, Giuseppe Buccucci, vlerësoi atmosferën dhe mikpritjen korçare. Ai tha se banda që përfaqëson ka një histori rreth 200-vjeçare dhe merr pjesë rregullisht në festivale ndërkombëtare, duke e cilësuar pjesëmarrjen në Korçë një eksperiencë të veçantë.

 

Ndërkohë, dirigjenti i Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, major Altin Babameto, vlerësoi rolin historik të Korçës në zhvillimin e muzikës frymore shqiptare. Ai kujtoi se qyteti është vendlindja e orkestrës së parë zyrtare të shtetit shqiptar dhe e cilësoi festivalin një nismë me vlera të mëdha artistike dhe edukative.

 

Festivali Ndërkombëtar i Bandave vijon me parada dhe koncerte në zonën këmbësore dhe në Pazarin e Vjetër të Korçës, duke sjellë një atmosferë festive për qytetarët dhe vizitorët, ndërsa synon të forcojë traditën e muzikës frymore dhe bashkëpunimin kulturor mes vendeve pjesëmarrëse.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy