Filmi i metrazhit të gjatë “Vera andrron detin”, i regjisores Kaltrina Krasniqi, ka rrëmbyer çmimin Golden Sun për filmin më të mirë në edicionin e 21-të të Festivalit Evropian të Filmit CINEDAYS, të mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, juria ka përshkruar “Vera andrron detin”, si një film i cili fuqishëm portretizon qëndrueshmërinë e grave të rrethuar nga fryma patriarkale.
Në një shoqëri patriarkale, themelet e së cilës u ndërtuan mbi sakrificat e grave të panumërta, të heshtura dhe të padukshme përgjatë historisë, është katartike të dëshmosh humanizmin dhe qëndrueshmërinë e grave sot, të cilat po rimarrin atë që gjithmonë u ka takuar.
Me portretizimin e tij shumështresorë të natyrës njerëzore, kinematografinë dhe aktrimin mahnitës i cili trajton kompleksitetin e gjinisë femërore përgjatë brezave, ky film zbulon një zë të ri të fuqishëm, nga një regjisore e cila sheh forcë te figurat e qeta. Andaj, çmimi Golden Sun për filmin më të mirë shkon për “Vera andrron detin”, nga Kaltrina Krasniqi”, ka deklaruar juria e CINEDAYS.
Filmi në fjalë është një portret intim, por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore, thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.
“Vera andrron detin” ka shfaqur premierën në Festivalin e Filmit në Venedikt në shtator të vitit të kaular, si dhe përveç çmimeve të tjera në festivale të ndryshme, ka fituar edhe çmimin e Grand Prix në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio.



